Zgjedhjet e 11 majit/ Pas Kukësit dhe Beratit, PD-ASHM ankimon rezultatin edhe për Qarkun Korçë

Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) ka depozituar një tjetër ankesë pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), duke kërkuar shpalljen si të pavlefshme të rezultatit zgjedhor të 11 majit në Qarkun Korçë.

Ky është ankimi i tretë zyrtar i opozitës, pas atyre në qarqet Kukës dhe Berat, ku gjithashtu u kërkua përsëritja e votimeve për Kuvendin e Shqipërisë. PD-ASHM pretendon se procesi zgjedhor është shoqëruar me parregullsi serioze dhe manipulime të qëllimshme, që sipas tyre kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar tashmë rezultatet për të 12 qarqet e vendit, duke përmbyllur zyrtarisht procesin elektoral. Sipas tabelave përfundimtare të shpallura nga KQZ:

-Partia Socialiste siguroi 83 mandate deputetësh,

-Koalicioni PD-ASHM fitoi 50 mandate,

-Forcat e reja politike morën gjithsej 7 mandate:

•3 për Partinë Socialdemokrate (PSD),

•2 për Partinë Mundësia,

•1 për Lëvizja Bashkë,

•1 për Nisma Shqipëria Bëhet.

Partia Demokratike ka përsëritur akuzat për “masakër zgjedhore” dhe paralajmëron se do të ndjekë të njëjtin proces ankimimi edhe për qarqe të tjera në ditët në vijim. Përfaqësues të saj theksojnë se do të shfrytëzojnë çdo rrugë ligjore për të denoncuar atë që e konsiderojnë si deformim të vullnetit të qytetarëve.