Zgjedhjet e 11 majit, OSBE/ODIHR takon Dumanin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, masat për sigurinë zgjedhore

Një delegacion i OSBE/ODIHR zhvilloi sot një vizitë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, në kuadër të nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025.

Në këtë takim, kreu i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, Ambasadori Lamberto Zannier, u prit gjithashtu nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

Objektivi i takimit ishte njohja e masave të marra nga Prokuroria e Përgjithshme për hetimin e veprave penale gjatë fushatës zgjedhore dhe mundësitë e mbështetjes për punën e Misionit nga prokuroritë dhe autoritetet përkatëse.

Për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm, në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë ngritur seksione të posaçme të përkohshme, të drejtuara nga drejtuesit e prokurorive, të cilat do të mbështeten nga Policia e Shtetit dhe një forcë operacionale.

Po ashtu, është e rëndësishme që të koordinohet puna mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Posaçme për shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin efikas të hetimeve mbi veprat penale.