Zgjedhjet e 11 majit, moment i rëndësishëm për demokracinë e Shqipërisë – Ambasadori i OSBE-së thirrje të rinjve: Votoni dhe bëjeni zërin tuaj të dëgjohet
Në Ditën Botërore të Zgjedhjeve, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm, ndërsa Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit. Tarran e ka cilësuar këtë proces si një moment vendimtar për demokracinë në vend, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve.
“Pjesëmarrja në zgjedhje forcon besimin e publikut në institucionet dhe proceset demokratike, duke siguruar që çdo zë të ketë rëndësi. Zgjedhjet e 11 majit janë një moment i rëndësishëm për demokracinë e Shqipërisë,” deklaroi ambasadori Tarran.
Këto zgjedhje do të kenë një rëndësi të veçantë historike, pasi për herë të parë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të votojnë nga larg. Ambasadori i OSBE-së i ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Shqipërisë të regjistrohen në listat e zgjedhësve deri më 4 mars 2025, sipas udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Thirrje të rinjve për pjesëmarrje në votime
Një theks i veçantë u vendos te roli i të rinjve në ndërtimin e një demokracie të fortë dhe gjithëpërfshirëse. Ambasadori Tarran u bëri thirrje të rinjve të informohen, të përfshihen dhe të marrin pjesë në zgjedhje, duke votuar për të formësuar të ardhmen e tyre dhe të vendit.
“Informohuni, përfshihuni dhe bëjeni zërin tuaj të dëgjohet duke votuar! Vota juaj ka rëndësi! Zëri juaj i jep formë së ardhmes!”, tha Tarran, duke nënvizuar mbështetjen e OSBE-së për një proces zgjedhor të drejtë dhe gjithëpërfshirës në bashkëpunim me KQZ-në.
Gjithashtu, qytetarët janë të ftuar të kontrollojnë regjistrimin e tyre në listat e zgjedhësve pranë Zyrës së Gjendjes Civile, në aplikacionin e KQZ-së ose përmes portalit e-Albania.