Zgjedhjet e 11 majit/ Jona Osmani, arkitektja e denjë për Qarkun e Durrësit!
Jona Osmani është ndër kandidatet më të reja që garon për mandat deputeti në zgjedhjet e 11 majit.
Një e re tepër energjike dhe premtuese, teksa bën pjesë në listën e hapur të qarkut të Durrësit në siglën e Partisë Socialiste.
Por kush është Jona Osmani?
Vetëm 30-vjeçare, Jona është arkitekte dhe urbaniste. Ajo përfundoi studimet për arkitekturë në Universitetin Epoka në vitin 2017 dhe ndoqi studimet për masterin dhe temën e diplomës në Universitetin Politeknik të Barit, Itali, me fokus në urbanistikën taktike dhe rigjenerimin e qyteteve. Aktualisht ajo është pedagoge e jashtme në studion e projektimit në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Ajo është gjithashtu anëtare e bordit INTBAU Albania, rrjeti ndërkombëtar për Ndërtimin Tradicional, Arkitekturën dhe Urbanistikën. Ajo ka punuar në Bashkinë e Tiranës, në departamentin dinamik të shqyrtimit të aplikimeve.
Më parë, znj. Osmani ka punuar në sektorin privat si arkitekte në studion e Arkitekturës “commonsense studio”. Ajo ka qenë gjithashtu ndihmës-koordinatore e ekipit LOT-9 të akademisë 100+fshatrat, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Zyra e Kryeministrit. Fokusi i saj në arkitekturë dhe trashëgimi historike u shpreh përmes publikimit “Udhëzuesit Praktikë për konservimin e ndërtesave tradicionale në Rajonin Bregdetar të Himarës”, një projekt i Programit GIZ-Shqipëri “Zhvillim i Qëndrueshëm i Integruar i Rajonit Jugor Bregdetar”.
Ky punim mori një çmim nderi në kategorinë e dizajnit urban në “Excellence Awards” në Kongresin Botëror të INTBAU 2018. Në vitin 2018, znj. Osmani së bashku me një ekip artistësh dhe arkitektësh, zhvilloi propozimin e projektit “Across the Threshold” (Përtej Pragut) për Pavilionin Shqiptar në Ekspozitën e 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës: La Biennale di Venezia, i cili ishte një nga tre finalistët e konkursit të shpallur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë.
Gjatë vitit 2022, ajo mori pjesë në Programin e fondacionit “Van der Leer” URBAN95 në LSE – London School of Economics, nga i cili u diplomua dhe profilizua në fushën e krijimit të hapësirave publike që janë të aksesueshme për të gjitha moshat dhe që realizohen në bashkëpunim mes komunitetit dhe organeve të vendimmarrjes lokale e qendrore.
Së fundmi, në vitin 2024, ajo ishte pjesë e brezit të parë të diplomuarve të Akademisë Politike të Partisë Socialiste. Në këtë kuadër, ajo ka vijuar angazhimin e saj profesional duke studiuar dhe zhvilluar mundësinë për të rritur bashkëpunimin mes aktorëve të komunitetit dhe qeverisjes vendore në përmirësimin e hapësirave publike në qytetet tona.
View this post on Instagram