Zgjedhjet e 11 majit, Berisha krah ish-prokurorit Arjan Ndoj në Durrës

Kryetari i PD, Sali Berisha është shfaqur në një takim në Durrës krah ish-prokurorit, Arjan Ndoj.

Ndoj është një ish-prokuror drejtues i akuzës në Durrës, i cili u shkarkua nga procesi i Vetingut për kontakte të papërshtatshme me krimin dhe mungesë aftësish profesionale. Por Ndoji në vitin 2019 i shpëtoi një atenati me armë zjarri, ku vetë mbeti i plagosur kurse shoferi u vra ndërkohë që udhëtonte sëbashku me një nga eksponentët e krimit, “Rrumin e Shijakut”.

Arjan Ndoj, bashkë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho), dhe Andi Maloku ishin duke drekuar në zonën e plazhit në Durrës në 1 nëntor 2019.

Të tre, u nisën drejt Tiranës pas drekës dhe në zonën e mbikalimit të Shkozetit, u qëlluan nga një makinë Benz, në ecje, ku dyshohet se ka qenë brenda Redjan Rraja.

Për pasojë u plagosën të tre, por në gjendje më të rëndë ishte Andi Maloku, i cili u bë mbrojtja e prokurorit Arjan Ndoji në atentat. Për shkak të plagëve të shumta, ai ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.