Zgjedhjet e 11 majit, Altin Dumani takim me Ilirjan Celibashin: Forcohet bashkëpunimi mes SPAK dhe KQZ për parandalimin e krimeve zgjedhore
Kreu i SPAK, Altin Dumani, është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.
Gjatë takimit, ata diskutuan krijimin e një Protokolli të Koordinimit Institucional mes KQZ dhe SPAK, i cili do të sigurojë linja komunikimi të hapura 24/7, raportim të menjëhershëm dhe ndërhyrje të shpejtë në rastet e shkeljeve zgjedhore.
Struktura të dedikuara në nivel qendror dhe lokal
Sipas Celibashit, SPAK do të organizojë struktura të veçanta të përbëra nga prokurorë dhe hetues, të cilët do të punojnë në sinkron me përfaqësuesit e KQZ-së në çdo qark dhe në nivel qendror. Një nga risitë kryesore do të jetë krijimi i një sistemi të unifikuar të denoncimeve, ku qytetarët, shoqëria civile dhe aktorë të tjerë do të mund të raportojnë rastet e dyshuara për krime zgjedhore.
SPAK do të ketë akses në Ndërfaqen e Raportimit të Aktiviteteve Publike (NIR), një sistem që monitoron dhe evidenton shkeljet e mundshme gjatë fushatës dhe administrimit të zgjedhjeve. Ky sistem do të ndihmojë në identifikimin e praktikave të paligjshme dhe rritjen e efikasitetit të hetimeve.
Nga ana e saj, KQZ po punon për ngritjen e një Qendre Monitorimi të Procesit Zgjedhor, e cila do të funksionojë 24/7, duke grumbulluar të dhëna nga terreni në kohë reale përmes raportimeve teknologjike dhe monitoruesve. Ky mekanizëm do të ndihmojë edhe hetuesit e SPAK në ndjekjen më të shpejtë të rasteve me elementë penalë.
Në përfundim të takimit, Dumani dhe Celibashi ranë dakord për finalizimin e Protokollit të Koordinimit mes KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke garantuar transparencë dhe efikasitet në luftën kundër krimeve zgjedhore, si një hap konkret për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 11 maj.