Zgjedhja e Papës së ri/ Vatikani do ta ndërpresë sinjalin telefonik gjatë konklavës më 7 maj

Vatikani ka njoftuar masa të rrepta sigurie për të garantuar fshehtësinë dhe solemnitetin e konklavës që do të nisë më 7 maj, me qëllim zgjedhjen e Papës së ri. Sipas raportimeve të “The Guardian”, autoritetet e Vatikanit do të ndërpresin sinjalin telefonik në të gjithë territorin e Shtetit të Vatikanit duke nisur nga ora 15:00 të martën.

“Të gjitha sistemet e transmetimit të sinjalit të telekomunikimit për telefonat celularë të pranishëm në territorin e Shtetit të Vatikanit do të çaktivizohen”, thuhet në deklaratën zyrtare. Sinjali do të rikthehet vetëm pas shpalljes së Papës së ri.

Ndërprerja nuk do të prekë zonën e Sheshit të Shën Pjetrit, ku zakonisht grumbullohen besimtarët dhe mediat për të pritur njoftimin historik me tymin e bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine.

Të mërkurën, më 7 maj, 133 kardinalë nga të gjitha kontinentet do të mblidhen në Kapelën Sistine për të filluar procesin e votimit për kreun e ardhshëm të Kishës Katolike, që do të udhëheqë mbi 1.4 miliardë besimtarë në mbarë botën. Kardinalët do të qëndrojnë në një izolim të plotë deri në përfundimin e votimeve dhe u kërkohet të lënë jashtë çdo pajisje elektronike apo mjet komunikimi.

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, konfirmoi se konklava do të zhvillohet në fshehtësi të rreptë, sipas traditës shekullore që synon të ruajë integritetin shpirtëror dhe pavarësinë e votës së secilit kardinal.