Zgjedhja e Papës së ri do të nisë më 7 maj
Kardinalët katolikë, që u takuan në Romë të hënën, vendosën që më 7 maj të nisë konklava apo procesi për zgjedhjen e pasardhësit të Papa Françeskut, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.
Kardinalët do të marrin pjesë në një meshë solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, pas së cilës do të mblidhen në Kapelës Sistine dhe përmes votimit të fshehtë do të mund të votojnë për zgjedhjen e papës së ri.
Papa Françesku, 88-vjeçar, kreu i Kishës Katolike, vdiq më 21 prill, pas një sulmi në tru. Viteve të fundit ai ishte përballur me probleme shëndetësore, ndërkaq në muajt e fundit të jetës së tij ishte shtruar edhe në një spital në Romë për shkak të pneumonisë së dyfishtë.
Ati i Shenjtë u varros në në Vatikan më 26 prill, ceremoni që mblodhi mijëra besimtarë, klerikë dhe udhëheqës nga e mbarë bota.
Varrimi i Papa Françeskut i hapi rrugë mbajtjes së konklavës. Procesi i përzgjedhjes së papës është tepër i fshehtë dhe asgjë nuk do të jetë e sigurt derisa të dalë tymi i bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine, për t’i treguar botës se është zgjedhur një papë i ri.
Në këtë proces, kardinalët që janë nën moshën 80-vjeçare mund të votojnë për kreun e ri të Kishës Katolike Romake. Pas caktimit të datës për nisjen e konklavës, apo këshillit të fshehtë, kardinalët, që udhëheqin departamente të rëndësishme në Vatikan dhe dioqeza në mbarë botën, do të nisin të mblidhen në Romë.
Emërimi i një pape mund të bëhet vetëm nga kardinalët. Sipas të dhënave të Vatikanit, nga 252 kardinalë, 135 prej tyre janë kardinalë votues nën moshën 80-vjeçare 108 nga këta kardinalë me të drejtë vote ishin emëruar nga Françesku, 22 nga paraardhësi i tij, Benedikti i XVI, dhe Gjon Pali II./Radio Evropa e Lirë