“Zemra e djalit tim të jetojë te dikush tjetër”, babai i 12-vjeçarit shqiptar që u mbyt në lumin Araktos: Më duhet ndihmë!
Rreth dhjetë ditë më parë, një ngjarje tragjike u regjistrua në lumin Araktos, në qytetin e Artës, Greqi, ku dy fëmijë, të moshës 12 dhe 14 vjeç, humbën jetën teksa laheshin në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit.
Njëri nga viktimat ishte Kleonis Fetollari. Babai i tij, i shkatërruar nga dhimbja, rrëfen momentet kur mësoi lajmin e rëndë.
“Në Greqi mora bashkëshorten e ika të punoja. Karta nuk kisha. Kisha karta provizore. Një ditë shkova te shihja një punë, kur u ktheva kisha lënë djalin në shtëpi e nuk e gjeta. Kishte marrë dy euro e kishte dalë të blinte diçka. Me marrin telefon me thonë ku e ke djalin, hajde se po te mbytet djali. Kur vajta nuk më lanë ta shihja. Djali ishte në koma 3 ditë, doktorët nuk dhanë shpresë. Bënë të pamundurën”, u shpreh Bledar Fetollari, babai i viktimës.
Familja ka kërkuar që trupi i Kleonisit të varroset në atdhe, ndërsa organet e të birit do dhurohen me shpresën për t’i dhënë jetë në tjetër fëmije në nevojë.
“I dhurova për arsye se djali nuk do jetonte më. Ngrita kokën lart e i thashë Zotit: Të jetojë zemra e djalit në një fëmijë tjetër. Ta ndiej që zemra është gjallë. Kjo gjë do bëhet i thashë, si fëmijë grek shqiptar italian. Mu prenë shpresat që nuk do ishte më”, tha babai.
Ndër të tjera Bledar Fetollari kërkon ndihmë pas gjendjes së rënduar ekonomike që ndodhet.
“Borxhe po, jam e pa shtëpi pa katandi. E kur e solla djalin këtu e sollën te shtëpia e vjehrrës, për ato halle vajta. Kërkoj ndihmë se skam ç’të bëj më, shpirti mu plagos, por më duhet një ndihmë. Nuk kam më fuqi”, shton babai i të miturit.