Zelensky: Ukraina ka pak gjasa të mbijetojë pa mbështetjen e SHBA-së

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina do ta ketë “shumë, shumë të vështirë” të mbijetojë pa ndihmën ushtarake të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Rusisë. Në një intervistë për NBC News, ai tha se shanset për të mbijetuar pa mbështetjen amerikane janë minimale.

“Ne kemi pak gjasa për të mbijetuar pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara,” u shpreh Zelensky, duke shtuar se Ukraina e ka rritur prodhimin e armatimit, por jo mjaftueshëm për të kompensuar mungesën e ndihmës amerikane.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur presidenti ukrainas po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, ku është takuar me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë nënpresidentin JD Vance. Zelensky i kërkoi Vance garanci sigurie nga Uashingtoni para se të fillojnë negociatat me Rusinë.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë sinjale të përziera për strategjinë e tyre në raport me Ukrainën. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha gjatë një takimi të NATO-s se është “jorealiste” të pritet që kufijtë e Ukrainës të rikthehen si para vitit 2014 dhe se anëtarësimi i vendit në NATO nuk shihet si pjesë e zgjidhjes së konfliktit.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka zhvilluar një telefonatë “të gjatë dhe shumë produktive” me Vladimir Putinin, ku është rënë dakord për nisjen e menjëhershme të negociatave mes ekipeve të tyre. Zelensky reagoi duke thënë se Ukraina nuk do të pranojë asnjë marrëveshje pa përfshirjen e saj direkte në bisedime.

Sipas Zelensky-t, Putini nuk kërkon paqe të vërtetë, por një armëpushim që do t’i lehtësonte disa sanksione Rusisë dhe do t’i jepte mundësi ushtrisë ruse të rigrupohej. “Kjo është ajo që ai dëshiron vërtet,” tha ai, duke shtuar se Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie për të parandaluar një tjetër agresion nga Moska në të ardhmen.