Zelensky pas bisedës me presidentin Trump: Më e mira dhe më produktivja deri më sot! Diskutuam për…

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zbuluar detaje nga biseda e tij e fundit me presidentin amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si “më të mirën dhe më produktiven” që kanë zhvilluar deri më tani gjatë konfliktit me Rusinë.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve ukrainas mbrëmjen e së premtes, Zelensky tha:

“Sa i përket bisedës me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, e zhvilluar dje, ajo ishte ndoshta më e mira që kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe, më produktive.”

Ai theksoi se tema kryesore e diskutimit ishte mbrojtja ajrore e Ukrainës, në veçanti nevoja për forcimin e mbrojtjes ndaj raketave balistike. Zelensky falënderoi presidentin Trump për gatishmërinë për të ndihmuar, duke përmendur në mënyrë të veçantë sistemin amerikan “Patriot”, të cilin e cilësoi “çelës për mbrojtjen nga kërcënimet balistike”.

Zelensky e ka konsideruar mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara si vendimtare për mbijetesën dhe kundërsulmet e Ukrainës ndaj agresionit rus.