Zelensky: I kërkova Donald Trump të mos marrë vendime për Ukrainën pa na pyetur ne
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar në një konferencë për media se i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që të mos marrë asnjë vendim për të ardhmen e Ukrainës pa përfshirjen e vetë Kievit zyrtar në diskutime.
“Kërkova që të mos merret asnjë vendim për Ukrainën pa ne. Këtë kërkesë e bëra para bisedës me Putinin. Këto janë çështje parimore për ne dhe shumë të rëndësishme,” u shpreh Zelensky, sipas raportimit të “BBC”.
Në vijim, Zelensky tha se po shqyrtohet mundësia e një takimi të nivelit të lartë ndërkombëtar që do të përfshinte Ukrainën, Rusinë, Shtetet e Bashkuara, vendet e Bashkimit Evropian dhe Britaninë e Madhe. Ai u shpreh se dëshiron që një takim i tillë të mbahet sa më parë në Turqi, Vatikan ose Zvicër, si vende të pranueshme për një dialog neutral dhe konstruktiv.
Presidenti ukrainas përmendi gjithashtu se po punohet për një marrëveshje të re për shkëmbimin e të burgosurve, e cila mund të realizohet brenda pak ditësh ose javësh. Megjithatë, ai riafirmoi vijat e kuqe të palëkundura të Ukrainës, duke përjashtuar çdo lëshim ndaj kërkesave të përsëritura të Rusisë për kontroll të plotë mbi pesë rajone të pushtuara.
“Ukraina nuk do t’i tërheqë trupat e saj nga territoret e veta,” tha Zelensky me vendosmëri, duke nënvizuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit nuk janë të negociueshme.