Zelensky falënderon Trump për marrëveshjen për mineralet: Rezultati i parë i prekshëm i takimit në Vatikan
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të re me Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim në fushën e burimeve natyrore, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij dokumenti për ekonominë dhe industrinë ukrainase. Marrëveshja, sipas Zelenskyt, është fryt i një procesi të gjatë negociatash dhe përfaqëson një partneritet të barabartë midis dy vendeve.
“Ne jemi të interesuar që të mos ketë vonesa me ratifikimin e saj,” tha Zelensky, duke i kërkuar parlamentit ukrainas që ta miratojë marrëveshjen sa më shpejt. Ai zbuloi se gjatë hartimit të marrëveshjes kishte pasur mosmarrëveshje serioze që kërkuan rikthimin e negociatorëve në tryezën e bisedimeve, veçanërisht pas një tensioni mes tij, presidentit amerikan Donald Trump dhe senatorit JD Vance në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, ai vlerësoi punën e të gjithë përfaqësuesve dhe theksoi ndryshimet thelbësore që ka pësuar dokumenti përpara finalizimit. “Tani është vërtet një partneritet i barabartë, që krijon mundësi për investime të konsiderueshme në Ukrainë dhe për modernizimin e industrive dhe praktikave ligjore ukrainase,” theksoi Zelensky, duke shtuar se marrëveshja nuk përfshin asnjë formë borxhi.
Ai zbuloi gjithashtu se diskutimet për marrëveshjen kishin kulmuar në një takim personal me Presidentin Trump gjatë vizitës në Vatikan fundjavën e kaluar, ku të dy morën pjesë në funeralin e Papës.
“Në fakt, ky është rezultati i parë i prekshëm i atij takimi në Vatikan, duke e bërë atë historik,” tha Zelensky. “Ne presim me padurim rezultate të tjera nga ajo bisedë. Ishte një takim kuptimplotë dhe unë dhe Presidenti Trump e shfrytëzuam çdo minutë në maksimum. E falënderoj për këtë.”