Zeka sjellë detaje se si u përgatit Halit Sahitaj kundër UÇK-së: Kam kërkuar takim me eprorët amerikan
Gazetari, Milaim Zeka ka bërë publike këtë të shtunë në kanalin e tij zyrtar ne YouTube “Me Milaim Zeken”, një pjesë të audio-përgjimit të biznesmenit Sahitaj, i cili hedh poshtë pretendimet se ka kërkuar të tërheqë deklaratën e dhënë në tetor të vitit 2020 për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Gjatë bisedës me prokurorin kryesor në rastin e Thacit, Tieger, Sahitaj sqaroi se deklarata e tij është dhënë me vullnet të plotë dhe se çdo keqkuptim mund të ketë ardhur nga komunikimi me Bennett.
“Është një keqkuptim këtu, në asnjë moment unë nuk kam thënë se dua të tërheq deklaratën që e kam dhënë”, deklaroi Sahitaj, duke shtuar se “atë deklaratë e kam dhënë me vullnet të plotë. Por janë disa sqarime tjera paralele.”
Në vijim të dëshmisë, Sahitaj bëri të ditur se ka tentuar të kontaktojë edhe ambasadën amerikane në Madrid, vetëm pak ditë pas bisedës me z. Bennett, për të kërkuar një takim me një përfaqësues të lartë amerikan.
“Kam dhënë arsyen time për një takim në Madrid me një epror amerikan, për një shpjegim lidhur me një shqetësim që kam dy-tre javë, dhe për mua është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Kjo pjesë e dëshmisë hap pyetje serioze lidhur me natyrën e këtij “shqetësimi” të dëshmitarit, si dhe arsyen e përfshirjes së diplomacisë amerikane në këtë çështje.
Roli i dëshmitarëve dhe besueshmëria e deklaratave të tyre mbetet një nga çështjet kyçe në proceset që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë.