“Zbulova që isha i adoptuar nga një ëndërr”, Bernard Hulme rrëfen historinë e tij të jashtëzakonshme
Ish-banori i “Big Brother VIP”, Bernard Hulme, ka ndarë një histori të veçantë dhe emocionuese mbi birësimin e tij, të cilën e ka zbuluar vetëm në moshën 37-vjeçare. I ftuar në emisionin “Pardon My French”, Bernard tregoi se prindërit e tij kishin vendosur të mos i tregonin të vërtetën, por ai e mësoi këtë fakt në një mënyrë të pazakontë.
“Unë jam i birësuar që kur isha 6 muajsh, por nuk e kam ditur deri në moshën 37 vjeç. Prindërit e mi vendosën ta mbanin të fshehtë, por jeta rrodhi ashtu që një ditë e zbulova. Isha i vetmi person në familje që nuk e dinte. Gjithmonë jam rrethuar me dashuri të madhe dhe kujdes të tepruar. Kam qenë qendra e vëmendjes, gjithmonë i përkujdesur dhe i mbështetur,” tha ai.
Bernardi tregoi se ndodhej me kolegët e punës në një ambient argëtimi, ku kishte edhe një vend ku parashikohej fati. Edhe pse skeptik, ai vendosi t’i tregonte një ëndërr që e kishte parë për më shumë se 10 vite.
“Ëndrra ishte e njëjtë çdo herë, nga fillimi deri në fund. Personi që më dëgjoi më tha: ‘Nëna jote biologjike është duke të të kërkuar’. Nuk u shokova menjëherë, por kur shkova në shtëpi, e kuptova se diçka nuk më linte të qetë. Vendosa t’i shkruaja gocës së dajës dhe e pyeta sa kohë kishte që e dinte. Përgjigjja e saj më tronditi: ‘Kam gjithë jetën që prisja të ma bëje këtë pyetje,’” rrëfeu ai.
Pasi mësoi të vërtetën, Bernard kaloi një periudhë të vështirë duke u përpjekur të gjente veten dhe njëkohësisht të siguronte që familja e tij ishte mirë. Në të njëjtën kohë, ai përjetoi një tjetër goditje të madhe, humbjen e babait të tij.
“Kjo ndodhi në një moment kur sapo isha ndarë dhe po përpiqesha të riorganizoja jetën time. Në mes të gjithë këtyre ngjarjeve, babai ndërroi jetë. U bënë shumë gjëra njëherësh,” përfundoi ai.