Zbulohet taktika e re e policisë franceze për ndalimin e emigrantëve drejt Britanisë: Jet-ski dhe…
Një taktikë e re dhe sekrete është zbatuar nga autoritetet franceze për të ndaluar kalimet e paligjshme të emigrantëve nga Franca drejt Britanisë përmes Kanalit të La Manshit. Sipas burimeve të “The Sun”, policia franceze ka filluar të përdorë jet-ski për të vendosur rrjeta nënujore, të cilat synojnë bllokimin e helikave të gomoneve që nisen me emigrantë, duke i ndalur ato në mënyrë të sigurt në ujëra të cekëta.
Taktika u testua ditën e premte gjatë një prove sekrete, ku policët përdorën edhe mjete të tjera ekstreme, si shpimi i gomoneve me thikë, për të parandaluar nisjet e tyre. Këto masa të reja vijnë në prag të vizitës shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron në Mbretërinë e Bashkuar, ku pritet të prezantohen strategji të reja për bashkëpunim në menaxhimin e kufijve.
Sipas autoriteteve britanike, këto masa do të hyjnë në zbatim brenda javëve të ardhshme dhe më pas do të bëhen pjesë e operacioneve të përditshme të oficerëve francezë përgjatë vijës bregdetare.
Ministrja britanike e Brendshme, Yvette Cooper, komentoi për zhvillimet e fundit:
“Gjatë muajve të fundit, kemi punuar ngushtë me palën franceze për mënyra të reja për të goditur rrjetet kriminale që organizojnë kalimet. Përdorimi i këtyre taktikave të reja është një hap i rëndësishëm për të ndalur varkat në nisje. Duhet të mos ndalemi para asgjëje për të forcuar sigurinë e kufijve tanë.”
Përpjekje të ngjashme ishin propozuar më parë nga konservatorët britanikë në vitin 2021, përfshirë përdorimin e jet-skive dhe kthimin e gomoneve në ujërat franceze, por u konsideruan shumë të rrezikshme. Në të kaluarën janë hedhur ide edhe më radikale, si ndërtimi i një “muri lundrues” apo përdorimi i makinerive për të krijuar dallgë artificiale në kanalin e La Manshit.
Ndërkohë, Britania dhe Franca po shqyrtojnë edhe një marrëveshje shkëmbimi azilkërkuesish “një për një”, e cila do të lejonte kthimin e emigrantëve që kanë kaluar Kanalin në mënyrë të paligjshme, në këmbim të azilkërkuesve me lidhje familjare në MB.
Sipas shifrave zyrtare, mbi 20,000 persona kanë kaluar Kanalin me varka të vogla vetëm gjatë këtij viti, pavarësisht 500 milionë paundëve të alokuara nga qeveria britanike për të ndihmuar palën franceze në ndalimin e kalimeve.