Zbulohet “shtëpia e barit” në Tiranë, arrestohen dy vëllezër dhe punonjësi i OSHEE

Policia e Tiranës ka goditur një rast të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, duke arrestuar dy vëllezër dhe një punonjës të OSHEE në kuadër të operacionit të koduar “Llamba”.

Operacioni u zhvillua në fshatin Laknas, ku u zbulua një banesë e përshtatur për rritjen e kanabisit me pajisje ndriçimi dhe ventilimi, ndërsa energjia elektrike merrej në mënyrë të paligjshme.

Në pranga kanë rënë Sh. M., 38 vjeç dhe F. M., 28 vjeç, të cilët dyshohet se ishin organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale. Gjithashtu, babai i tyre, Z. M., 66 vjeç, është proceduar penalisht për moskallëzim të krimit, pasi kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm, por nuk e kishte raportuar.

Në vijim të hetimeve është arrestuar edhe punonjësi i OSHEE-së, E. P., 29 vjeç, i cili dyshohet se favorizoi këtë veprimtari kriminale, duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.

Çfarë u sekuestrua?

Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi:

•20 bimë kanabisi, rreth 60 cm të larta

•Një sasi lënde narkotike kanabis të përpunuar

• 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje

• 2 filtra për pastrimin e aromave

• 3 ventilatorë freskues

• 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës

• Pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivim në ambiente të mbyllura