Zbulohet shkaku i vdekjes së Papa Françeskut, Vatikani tregon se pësoi…

Vatikani ka bërë publike shkakun zyrtar të vdekjes së Papa Françeskut, duke deklaruar se Ati i Shenjtë ndërroi jetë si pasojë e një goditjeje në tru. Deklarata zyrtare u publikua rreth 12 orë pas njoftimit të parë për ndarjen nga jeta të Papës, duke i dhënë fund spekulimeve që kishin qarkulluar në orët e para pas lajmit.

Sipas autoriteteve të Vatikanit, Papa Françesku vuante prej kohësh nga probleme serioze shëndetësore, të cilat ishin përkeqësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit të jetës së tij.

Në muajin shkurt, konkretisht më 14 shkurt, ai ishte shtruar me urgjencë në spitalin “Gemelli” në Romë, pas një krize të rëndë respiratore që më pas u diagnostikua si pneumoni e dyfishtë. Për disa ditë, Papa ndodhej në reanimacion dhe nën kujdes intensiv, ndërsa mjekët arritën ta stabilizonin gjendjen e tij përkohësisht.

Gjendja e përgjithshme shëndetësore e Papës kishte qenë e brishtë për një kohë të gjatë, për shkak të një sëmundjeje kronike të mushkërive nga e cila vuante që në rininë e tij.