Zbulohet prapaskena/ Si u mbajt “gjallë” armëpushimi Izrael-Iran, Trump telefonoi Netanyahun dhe i tha…

Një prapaskenë e rëndësishme e armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit është zbuluar ditën e sotme, duke hedhur dritë mbi rolin e presidentit amerikan Donald Trump në ruajtjen e paqes së brishtë në rajon. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se, në orët e para të mëngjesit, Izraeli ka goditur një rrjet radarësh pranë Teheranit, si përgjigje ndaj asaj që e konsideroi si “shkelje të armëpushimit” nga ana e Iranit.

Sipas informacioneve zyrtare, Irani ka qëlluar një raketë drejt Izraelit në orën 07:06 të mëngjesit, sipas orës lokale, si dhe dy raketa të tjera në orën 10:25, në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit që kishte hyrë tashmë në fuqi.

Në kulmin e tensioneve, një telefonatë e presidentit Trump drejtuar kryeministrit Netanyahu ka rezultuar vendimtare. Gjatë bisedës, Trump ka shprehur “vlerësimin e tij të jashtëzakonshëm për Izraelin”, duke theksuar se shteti hebre kishte “arritur të gjitha qëllimet e tij të luftës”.

Sipas burimeve nga zyra e kryeministrit izraelit, pas kësaj telefonate, ushtria izraelite është përmbajtur nga ndërmarrja e sulmeve të mëtejshme, duke kontribuar në stabilizimin e armëpushimit të brishtë.