Zbulohet plani sekret i Rusisë për Mariupolin, BBC: Konfiskime banesash, presion për pasaporta ruse dhe një kurth për ukrainasit që duan të kthehen
Media britanike BBC ka zbuluar një plan të detajuar të Rusisë për të përvetësuar plotësisht qytetin e pushtuar të Mariupolit, përmes një fushate të strukturuar për spastrimin e banorëve ukrainas dhe zëvendësimin e tyre me ndikim të drejtpërdrejtë rus. Sipas raportit, një nga mjetet kryesore të këtij plani është konfiskimi i mijëra shtëpive që kanë mbetur bosh pas largimit ose zhdukjes së pronarëve ukrainas, të detyruar të largohen gjatë rrethimit shkatërrues të vitit 2022.
BBC thekson se, për të shpëtuar pronën e tyre, ukrainasit e shpërngulur duhet të përballen me një kthim të rrezikshëm në Mariupol, përmes territorit rus, duke kaluar nëpër një sërë kontrollesh të rrepta sigurie, një proces burokratik të tejzgjatur dhe presion psikologjik të vazhdueshëm për të pranuar nënshtetësinë dhe pasaportën ruse.
Në raport thuhet se autoritetet ruse në qytet po përdorin këto metoda për të “rusifikuar” Mariupolin, një qytet simbol i rezistencës dhe tragjedisë së luftës. Procesi përfshin jo vetëm ndërrimin e pronësisë së banesave, por edhe riemërimin e rrugëve me emërtime të reja pro-Kremlinit, ndërtimin e objekteve të reja ushtarake dhe përhapjen e simboleve propagandistike.
Sipas të dhënave të Human Rights Watch, 93% e ndërtesave të larta të qytetit – pra 443 kulla – u shkatërruan gjatë ofensivës së vitit 2022. Megjithëse Rusia pretendon se ka ndërtuar mbi 70 ndërtesa të reja apartamentesh, vendasit raportojnë për mungesë të madhe banesash dhe përpjekje të dukshme për të zëvendësuar popullsinë ukrainase me banorë të rinj lojalë ndaj Moskës.
Raporti e cilëson këtë strategji si një kurth të qëllimshëm për ata që duan të rikthehen, duke i detyruar të hyjnë në një sistem që i shtyn drejt asimilimit të detyruar, nëse duan të rikthejnë pronat e tyre ose të rifillojnë jetën në qytetin e tyre të lindjes.