Zbulohet për herë të parë akt-marrëveshja e Nuredin Dumanit me SPAK-un: Si rrëfimet e tij çmontuan grupe të fuqishme kriminale
Për herë të parë është bërë publike akt-marrëveshja e bashkëpunimit mes të shumëkërkuarit Nuredin Dumani dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një dokument që ka shënuar një kthesë të madhe në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
Pas arrestimit të tij dhe transferimit në spitalin e burgut, në praninë e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe ish-drejtorit të Krimeve, Dumani shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me drejtësinë. Ai premtoi të zbardhë ngjarje kriminale të pazgjidhura prej vitesh dhe të ndihmojë në ndërtimin e dosjeve voluminoze ndaj disa prej grupeve më të rrezikshme në vend.
Avokati i tij, Artan Simoni, u shpreh se “nuk përbën sekret që ka pasur një informacion të dyfishtë, që ka ecur si drejt atyre që kërkuan eliminimin e tij, ashtu edhe drejt autoriteteve ligjzbatuese. Në këto kushte, ai vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë”.
Tre prokurorët e SPAK-ut, Altin Dumani, Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra, zhvilluan për dy javë me radhë dëgjime me Dumanin dhe më 18 maj 2022, atij iu dha statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Sipas akt-marrëveshjes, Dumani është zotuar të japë informacione të plota, pa asnjë rezervë, për të gjitha krimet ku ka qenë i përfshirë dhe për çdo bashkëpunëtor të tij. Ai ka deklaruar se ka marrë pjesë në 17 ngjarje kriminale – vrasje, tentativa vrasjesh, grabitje – dhe ka zbuluar identitetin e personave që e “pajtonin” si vrasës me pagesë.
Në një audio-rrëfim të siguruar nga “Inside Story”, Dumani ka dëshmuar për momentin kur nisi rrugën e krimit me shitjen e një arme. Ai përshkruan edhe një atentat ku ka shpëtuar për mrekulli: “Në kthesën e Cërrikut pashë disa makina. Dikush më bëri foto. Kur po largohem më qëlluan me armë. Pashë tre veta, dy qëllonin dhe shoferin. Më kapën plumbat kur qëlluan për herë të dytë”.
Ai ka pranuar të ndihmojë autoritetet edhe në identifikimin e pasurive me origjinë kriminale, si dhe të dëshmojë sa herë të kërkohet nga prokuroria dhe gjykata. Marrëveshja parashikon se nëse ai jep dëshmi të rreme apo mban informacione, humbet statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Pas dëshmive të tij, SPAK ka lëshuar 32 urdhra arresti ndaj figurave kyçe të botës së krimit në Shqipëri. Aktualisht, dosja ndodhet në fazë gjykimi me 20 të pandehur dhe konsiderohet si një ndër proceset më të rëndësishme të viteve të fundit, që krahasohet me maksi-proceset e famshme kundër mafias italiane.
Prokurori i SPAK-ut, Vladimir Mara, theksoi se “një pjesë e dosjes është në gjykim, ndërsa pjesa tjetër është ende në hetim”.