Zbulohet parcela me 1800 bimë narkotike në Bulqizë, arrestohet 19-vjeçari, shpallet në kërkim një tjetër
Një rast i kultivimit të bimëve narkotike është goditur nga Policia Bulqizës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”. Blutë kanë zbuluar dhe asgjësuar një parcelë me 1800 bimë narkotike. Gjatë ndërhyrjes së policisë u kap në flagrancë shtetasi A.K., 19 vjeç banues në Fushë-Krujë ndërsa u identifikua dhe shpall në kërkim bashkëpunëtori shtetasi A.Z., 21 vjeç.
Njoftimi i Policisë:
Bulqizë/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë dhe Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Dibër, në malin e fshatit Okshtun u evidentua një parcelë me rreth 1800 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë u arrestua në flagrancë shtetasi A.K., 19 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Në vijim të operacionit u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A.Z., 21 vjeç, banues në Fushë-Krujë (bashkëpunëtor me të arrestuarin).
Fidanët dhe bimët narkotike u asgjësuan në vend me anë të djegies, ku një pjesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Operacioni vazhdon