Zbulohet një fortifikim në fshatin Rreja e Velës, mund të ketë pasur funksion mbrojtës
Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) kanë identifikuar rrënojat e një fortifikimi në fshatin Rreja e Velës, pas një njoftimi nga një banor i zonës.
Fortifikimi ndodhet në majën e një kodre në vendin e quajtur “Kodra e Qytezës”, rreth 10 km larg Rubikut, në një lartësi prej 475 metrash. Ai është i rrethuar nga shpate të thikta në lindje, jug dhe veri, ndërsa ana perëndimore ka një terren më të butë.
Sipas ekspertëve, në veriperëndim të fortifikimit ndodhen rrënojat e një kulle rrethore, ndërsa në jugperëndim vërehet një mur i rrënuar. Ky vendbanim mund të ketë pasur funksion mbrojtës ose të ketë shërbyer si pikë vëzhgimi për kontrollin e territorit.
IKTK ka njoftuar se do të vijojë procesin e dokumentimit, studimit dhe konservimit të strukturave të zbuluara, ndërsa në fazat e ardhshme do të kryhet një vëzhgim arkeologjik për të kuptuar më mirë rëndësinë dhe funksionin e këtij fortifikimi.