Zbulohen dhe asgjësohen 1000 fidanë kanabis në Fier, arrestohet 63-vjeçari (Emri)

Policia e Fierit ka zbuluar dhe goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Libofshë të Fierit  ku janë gjetur dhe asgjësuar 1000 bimë me anë të djegies fidanë të dyshuar kanabis. Autoritetet kanë identifikuar dhe arrestuar shtetasin Aristir Marini 63-vjeç i dyshuar për kultivimin e tyre ndërsa sipas policisë po punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.

“Në zbatim të planit të posaçëm policor, kundër veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier po kryejnë kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut. Si rezultat i kontrolleve të asistuara dhe nga dronët si edhe nga informacionet policore, shërbimet e Policisë goditën një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në fshatin Libofshë. Në vendin e quajtur “Gropa e Mollës”, u gjetën të kultivuar 1000 fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies. Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për këtë rast u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi 63 vjeç, banues në fshatin Libofshë. Po punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale. Kontrollet vijojnë.”, thuhet në njoftim