Zbulohet baza e prostitucionit në Kavajë, në pranga dy shtetase kineze – Procedohen edhe 6 klientët shqiptarë
Një tjetër rast i ushtrimit të paligjshëm të prostitucionit është goditur nga Policia e Kavajës, në kuadër të operacionit të koduar “Baza”, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë dy shtetase kineze:
– C. Y., 42 vjeçe
– Y. Sh., 41 vjeçe
Të dyja akuzohen për veprën penale “Prostitucioni”, pasi ushtronin aktivitet të paligjshëm në një apartament të marrë me qira në zonën e Qerretit, Kavajë. Ato komunikonin me klientët përmes rrjeteve sociale dhe ofronin shërbime seksuale kundrejt shumave nga 80 deri në 200 euro.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë gjashtë shtetas shqiptarë, të dyshuar si klientë që kanë përfituar shërbime seksuale në këtë ambient.
Nga kontrolli në apartament, policia sekuestroi si provë materiale shuma parash në euro dhe dollarë si dhe dy telefona celularë të përdorur për komunikim me klientët.
Dy shtetaset kineze kishin hyrë në Shqipëri si turiste, por në realitet ushtronin aktivitetin e paligjshëm me qëllim përfitimi financiar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.