Zbulohet banesa e dytë e 32-vjeçarit të arrestuar në Shkodër, i gjenden dy armë zjarri dhe municion luftarak
Policia e Shkodrës ka zbuluar një banesë të dytë të përdorur nga 32-vjeçari Mikelian Toma, i cili u arrestua pak ditë më parë teksa lëvizte me një motomjet me targë të vjedhur dhe numër shasie të ndryshuar. Gjatë kontrollit në këtë banesë, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pushkë dhe municion luftarak.
Mikelian Toma u ndalua më 26 mars së bashku me shtetasin D. S., pasi nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar. Ata akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Vjedhje”, të kryera në bashkëpunim.
Gjatë hetimeve, autoritetet siguruan informacion se Toma përdorte një tjetër banesë në fshatin Dajç, e cila është në pronësi të shtetasit G. V., aktualisht rezident në Itali. Nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë, policia zbuloi armët dhe municionin, të cilat dyshohet se mbaheshin nga i arrestuari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse armët ishin përdorur për ndonjë aktivitet kriminal.