Zbulohet autori i kërcënimeve ndaj vajzës së Giorgia Melonit! Profesori i gjermanishtes kërkon ndjesë por…
Zbulohet identiteti i autorit të postimit tronditës në rrjetet sociale që uroi vdekjen e vajzës së kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Ai është një profesor gjermanishteje, i cili tashmë ndodhet nën hetim për nxitje urrejtjeje dhe kërcënim publik.
Postimi që u bë viral në Itali e krahasonte vajzën e vogël të Melonit me Martina Carbonaro, adoleshenten 14-vjeçare të vrarë në Afragola nga ish-i dashuri i saj.
“Ishte një gjest idiot, një postim i shkruar në mënyrë impulsive. Kërkoj ndjesë për përmbajtjen – nuk duhet uruar kurrë vdekja, aq më pak për një fëmijë. Por nuk tërhiqem nga idetë e mia politike. Kjo qeveri nuk më përfaqëson,” deklaroi profesori për Roma Online.
Ai u justifikua duke thënë se veprimi ishte rezultat i zemërimit të çastit dhe se mëngjesin pas postimit ishte penduar thellësisht:
“U zgjova në mëngjes dhe thashë: ‘Çfarë kam shkruar!’ E fshiva postimin, jo nga frika, por sepse e kuptova vetë që ishte i gabuar.”
Pavarësisht ndjesës publike, ai tha se nuk do të tërhiqet nga bindjet e tij politike. Mësuesi theksoi se nuk ka ushtruar kurrë ndikim politik në klasë, është kundër dhunës, adhuron kafshët dhe bën vullnetarizëm.
Pas publikimit të postimit, ai është përballur me kërcënime me vdekje, fyerje të ashpra dhe sulm me domate në dritaret e banesës së tij. Ai ka depozituar një kallëzim në Policinë Postare dhe është marrë në pyetje nga autoritetet.
Reagimi i Giorgia Melonit:
“Kjo nuk është politikë. Nuk është as zemërim. Është diçka më e errët, që tregon një klimë të sëmurë, një urrejtje ideologjike, ku gjithçka duket e lejueshme – edhe t’i urosh vdekjen një fëmije për të goditur një prind.”
Ajo u bëri thirrje të gjitha forcave politike që të distancohen nga kjo klimë urrejtjeje dhe theksoi:
“Ka kufij që nuk duhen kapërcyer kurrë. Dhe mbrojtja e tyre është përgjegjësi përtej çdo përkatësie.”