Zbulimi i magazinës ku falsifikoheshin stampat e veshjeve në Tiranë, arrestohen edhe dy administratorët – mes tyre një turk

Policia e Tiranës ka vënë në pranga edhe dy persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e falsifikimit të veshjeve, në kuadër të operacionit të koduar “Fake Star 5”, duke e çuar në gjashtë numrin e të arrestuarve.

Në prangat e policisë kanë rënë Ozkan Sulun, 46 vjeç, shtetas turk, dhe Lindion Haka, 21 vjeç, të dy shpallur më parë në kërkim.

Sipas hetimeve, Ozkan Sulun kishte rol koordinues në procesin e stampimit të logove false të markave të njohura ndërkombëtare mbi veshje të kontrabanduara. Ndërsa Lindion Haka rezulton të jetë bashkëadministrator i njërës prej dy magazinave ku zhvillohej aktiviteti kriminal, në fshatin Brrar, në periferi të Tiranës.

Operacioni “Fake Star 5” u zhvillua një ditë më parë, ku u arrestuan katër shtetas të tjerë dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe katër persona të tjerë.

Nga kontrollet e ushtruara në ambientet e magazinimit, policia gjeti sasi të konsiderueshme veshjesh të kontrabanduara, pajisje për stampimin e logove, etiketa të falsifikuara dhe materiale të tjera që përdoreshin për imitimin e markave të njohura.