Misteri i vrasjes së biznesmenit shqiptar Artan Kaja, 53 vjeç, në Itali është zbardhur, pas rrëfimit të autorit të dyshuar. Ngjarja ndodhi më 7 janar, pranë një magazine të kompanisë ku viktima punonte prej vitesh. Fillimisht, vdekja e tij u raportua si pasojë e një ataku në zemër, por hetimet zbuluan se Kaja ishte qëlluar me armë zjarri.
Autori i dyshuar, një 50-vjeçar shqiptar, mik dhe koleg i viktimës, u vetëdorëzua në polici një ditë pas ngjarjes, i shoqëruar nga avokati i tij. Ai pranoi përgjegjësinë për krimin dhe tregoi detaje tronditëse mbi mënyrën se si e kishte ekzekutuar.
Sipas rrëfimit të tij, ai e kishte pritur Artanin në një zonë të errët dhe të shkretë pranë fabrikës së letrës, larg kamerave të sigurisë. Pasi ishte ngjitur mbi një mur të ulët që rrethonte kompaninë, ai e kishte qëlluar dhe e kishte lënë viktimën të shtrirë në tokë.
Dyshohet se vrasja është kryer si hakmarrje për një debat të ashpër që dy bashkatdhetarët kishin pasur disa javë më parë për çështje pune. Viktima, i njohur nga të gjithë si Toni, ishte përgjegjës për lëvizjen e paletave në fabrikën e letrës ku punonte prej shumë vitesh, ndërsa autori ishte shofer kamioni në të njëjtën kompani.
Trupi i pajetë i Artan Kajës u gjet rreth orës 20:00 të së martës, nga gruaja e tij Aurora, e cila kishte ngritur alarmin pasi ai nuk ishte kthyer në shtëpi. Duke mos marrë përgjigje nga telefonatat, ajo kishte shkuar në magazinën ku ai punonte dhe më pas kishte njoftuar policinë.