Zbardhet vendimi i gjykatës: Pse qëndron në burg Erion Veliaj – Rrezik për drejtësinë, arratisje dhe…

Gjykata e Posaçme e Apelit ka zbardhur vendimin që rrëzon kërkesën për lirim nga burgu të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet nën hetim për nëntë raste korrupsioni dhe pastrim parash.

Sipas vendimit të firmosur nga gjyqtari Engert Pëllumbi, Veliaj konsiderohet një person me potencial të lartë për të ndikuar në hetim, për shkak të funksionit të tij si kryebashkiak dhe kontrollit që ka mbi administratën dhe dokumentet që mund të jenë burim prove.

Gjykata thekson se ai ka aftësinë të ndikojë mbi vartësit, të deformojë prova, të ushtrojë presion mbi dëshmitarët dhe të pengojë rrjedhën e hetimeve. Sipas Apelit, Veliaj ka kryer telefonata nga brenda burgut përmes sistemit të brendshëm, gjë që SPAK e ka vlerësuar si rrezik të manipulimit të provave.

Në vendim thuhet gjithashtu se ekziston rreziku i arratisjes. Kjo mbështetet në burimet financiare që zotëron dhe udhëtimet e shpeshta të tij të dokumentuara në sistemin TIMS. Gjyqtari nënvizon se ky rrezik është “eminent dhe në nivele të larta”.

Gjykata nuk e konsideron si faktor lehtësues faktin që Veliaj është kryefamiljar dhe ka një fëmijë të mitur, duke shtuar gjithashtu edhe një tjetër rrezik: ai i recidivizmit, pra, i përsëritjes së veprave penale për të cilat ai po hetohet.

Në vendim përmendet edhe mundësia e ndikimit të tij mbi grupin hetimor, duke iu referuar një rasti të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Podeski kundër San Marinos), ku theksohet se sa më i fuqishëm të jetë një person, aq më i madh është potenciali i ndërhyrjes dhe trysnisë ndaj drejtësisë.

Pas publikimit të vendimit, mbrojtja e Veliajt pritet t’i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.