Zbardhet takimi i përfaqësuesëve të OSCE/ODIHR dhe KZGJ

Ditën e sotme u zhvillua takimi mes përfaqësueve të Misionit OSCE/ODIHR dhe gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor në lidhje me diskutimin e përbashkët mbi ҫështjet elektorale të gjykuara deri më tani nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor

Përshëndetje, në  vijim të informimit për veprimtarine e KZGJ ju vëmë  në  dispozicion njoftimin për median në lidhje me takimin e përfaqësuesëve  të OSCE/ODIHR me gjyqtare të KZGJ.

Sot, më datë 03.05.2023, ora 10:00, në mjediset e Gjykatës Administrative të Apelit, u zhvillua takimi mes përfaqësueve të Misionit OSCE/ODIHR dhe gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor në lidhje me diskutimin e përbashkët mbi ҫështjet elektorale të gjykuara deri më tani nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor.

Në takim ishin të pranishëm Kreu i Misionit OSCE/ODIHR, znj. Dame Audrey Glover, Analisti Ligjor, z. Rokas Stabingis, si dhe asistentët përkatës.

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor ishte i përfaqësuar nga gjyqtarët: znj. Edlira Petri, znj, Manjola Xhaxho, znj. Marsela Dervishi, znj. Emona Muҫi, z. Sokol Ibi si dhe znj. Blerona Hasa.

Përfaqësuesit e Misionit OSCE/ODIHR u interesuan për objektin e ҫështjeve të gjykuara deri më tani nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor dhe problematikat e hasura prej tij gjatë gjykimit përsa i takon afatit ligjor të shqyrtimit gjyqësor, respektimit të procesit të rregullt ligjor për palët, etj.

​Nga ana e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor u dhanë informacione shteruese për të gjitha pyetjet e ngritura për diskutim nga përfaqësuesit e Misionit OSCE/ODIHR, duke evidentuar edhe risinë e publikimeve të menjëhershme të informacionit për publikun dhe median, në lidhje me këto gjykime, në faqen zyrtare të Gjykatës Administrative të Apelit www.gjykata.gov.al , e cila u vlerësua pozitivisht nga ana e Misionit.

Në përfundim të takimit, Kreu i Misionit OSCE/ODIHR, znj. Dame Audrey Glover, falenderoi gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor për bashkëpunimin e frytshëm, punën e kryer dhe gadishmërinë e treguar në funksion të mbarëvajtjes së gjithë procesit zgjedhor në kuadër të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.