Zbardhet raporti psikiatrik për Naim Murselin: I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt nuk ka…
Zbardhet raporti përfundimtar psikiatrik për Naim Murselin, i akuzuar për vrasjen makabre të bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt (Murseli), më 29 nëntor 2023, ngjarje që ndodhi në sy të dy fëmijëve të tyre dhe tronditi opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë.
Sipas Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Naim Murseli nuk ka asnjë çrregullim apo sëmundje mendore, të përkohshme apo të përhershme.
Raporti përjashton gjithashtu prapambetje mendore, abuzim me substanca psikoaktive apo alkool. Në përfundim të analizës, theksohet se në momentin e kryerjes së krimit, Murseli kishte aftësinë e plotë për të kuptuar rëndësinë e veprës dhe për të kontrolluar veprimet e tij.
“Nuk ka sëmundje mendore, është i përgjegjshëm dhe plotësisht i aftë të mbrojë veten në procesin gjyqësor,” thuhet në përfundim të raportit, duke i hapur rrugë gjykimit pa asnjë pengesë ligjore apo mjekësore.
Më tej, ekspertët theksojnë se Murseli është në gjendje të konsultohet me avokatët, të kuptojë aktakuzën dhe të ndjekë normalisht e logjikshëm procedurat në seancat e ardhshme.
Kujtojmë se në seancën e fundit, mbrojtja e tij kishte kërkuar kryerjen e ekzaminimit psikiatrik, por raporti e ka përjashtuar çdo pretendim të mundshëm për gjendje të rënduar mendore.