Zbardhet përplasja me armë zjarri në Greqi! Arrestohen 12 shqiptarë e grekë, mes tyre edhe një polic
Një përplasje e armatosur mes dy grupeve kriminale, ndodhur në shtator të vitit 2024 në afërsi të një klubi nate në Pire të Greqisë, është zbardhur pas një hetimi të zgjeruar të Policisë Greke.
Sipas Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar, operacioni i zhvilluar nga njësitë e Departamentit të Ndjekjes së Krimeve kundër Jetës dhe Pronës në zona të ndryshme të Athinës çoi në arrestimin e 12 personave, mes tyre shtetas shqiptarë dhe grekë, të cilët janë identifikuar si anëtarë të organizatave kriminale.
Mes të arrestuarve ndodhet edhe një efektiv policie, i cili dyshohet për përfshirje aktive në rrjetin kriminal. Të gjithë personat janë ndaluar me urdhër të prokurorisë dhe janë marrë nën hetim për një sërë veprash të rënda penale.
Si ndodhi përplasja
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 29 shtator 2024, ku dy banda me nga të paktën 6 anëtarë secila, fillimisht u konfliktuan fizikisht jashtë klubit të natës në Pire, duke përdorur grushta dhe shqelma, përpara se të kalonin në shkëmbim zjarri me armë.
Nga përleshja nuk raportohet për viktima, por hetuesit kanë zbuluar se përplasja ishte pasojë e një lufte për territor dhe kontroll në aktivitetet kriminale në zonën e Pireut.
Çfarë u sekuestrua
Gjatë kontrolleve në banesa dhe automjete, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme sendesh të paligjshme, përfshirë:
-1 pistoletë me karikator dhe 10 fishekë
-1 revolver me 6 fishekë
-1 pistoletë me 1 fishek gati për qitje
-1 armë gjahu
-2 karikatorë dhe këllëf pistolete
-14 thika të llojeve të ndryshme
-Veshje të përdorura gjatë ngjarjes
-Tableta anabolike, 1 palë doreza
-3 makina dhe 1 motor
-Sasi e vogël marijuanë (2.4 gram)
-Shumë prej 175.470 euro
Akuzat dhe e kaluara kriminale
Të arrestuarit përballen me akuza të rënda si:
-Krijim i organizatës kriminale
-Tentativë vrasjeje me dashje
-Dëmtime të rënda trupore
-Shkelje të ligjit për armët dhe drogën
-Shkelje e detyrës (për efektivin e policisë)
Sipas Policisë, shumica e të ndaluarve kanë të kaluar kriminale për vepra të ngjashme, si dhe janë të përfshirë në rrjete të mëparshme të drogës, armëve dhe krimeve të dhunshme.