Zbardhet marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës, detajet e komisioneve hetimore, do të përbëhen nga 15 anëtarë

Është arritur dakordësia mes Rithemelimit dhe PS për ngritjen e dy komisioneve hetimore.

Në Konferencën e Kryetarëve është miratuar ngritja e dy komisioneve.

Komisioni Hetimor do të përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe 6 anëtarë propozohen nga Grupi Parlamentar i PD dhe 8 anëtarë propozohen nga Grupi Parlamentar i PS-së. Përbërja e Komisionit caktohet me vendim të veçantë të Kuvendit. Komisioni Hetimor do të zhvillojë veprimtarinë e tij në afat kohor prej 4 muajsh, nga data e miratimit të vendimit. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të Komisionit, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.

Njoftimi:

Në vijim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 12.03.2024 dhe detyrave të lëna në atë mbledhje, lutemi gjeni bashkëlidhur projektvendimet e dakordësuara midis mazhorancës dhe opozitës, lidhur me:

1- Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-up në shëndetësi.

2- Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të sistemit TIMS.