Zbardhet ekspertiza për vdekjen e dy vëllezërve në Mallakastër/ Humbën jetën pesë ditë më parë

Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbardhur shkaqet e vdekjes së dy vëllezërve, Sabri dhe Novruz Velaj, të cilët u gjetën pa shenja jete në banesën e tyre në fshatin Çorrush, Mallakastër. Sipas policisë, ata kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrale rreth pesë ditë më parë.

Dy vëllezërit, të cilët jetonin të vetëm dhe në dhoma të veçanta, dyshohet se kanë humbur jetën në të njëjtën ditë. Njëri prej tyre ka rënë aksidentalisht dhe ka pësuar një hematomë fatale, ndërsa tjetri, i paralizuar prej vitesh, nuk ka mundur të hapë derën për të kërkuar ndihmë dhe ka ndërruar jetë. Banesa e tyre ishte rikonstruktuar tre vite më parë nga bashkia Mallakastër, por ata jetonin të vetmuar, vetëm me pensionet e pleqërisë.