Zbardhet ekspertiza e thikës që i mori jetën Martin Canit: Gjenden 2 profile ADN, është përdorur nga …

Zbardhet ekspertiza e thikës së krimit në vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”.

Burime bëjnë me dije se janë gjetur 2 profile ADN-je, e viktimës dhe të plagosurit Luis Meçe, ndërsa është përdorur vetëm nga autori Mario Përlleshaj.

Sherri ka qenë ende i ndezur, pasi siç bëhet me dije, Martin Cani i ndjerë i frikësuar se situata do të degradonte pasi të mbaronte mësimi, thirri pas shkolle mikun e tij të ekipit U-15 të Dinamos, ku luanin të dy bashku. Por ata janë sulmuar sapo kanë hyrë në një rrugicë dhe në përleshje e sipër M.P., ka nxjerrë thikën që mbante me vete duke i goditur të dy djemtë.

Autori më pas u largua me vrap drejt Pazarit të Ri, derisa të njohur të tij e çuan një makinë në një spital privat për mjekim. Rrugës, 14-vjeçari që kishte lëshuar të paktën 6 goditje me thikë ndaj 2 bashkëmoshatarëve të tij, gjeti kohën të postojë në rrjetet sociale një foto të tijën në sediljen e pasme të makinës me dorën e fashuar. I mituri u arrestua në ambientet e spitalit privat për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

NJOFTIMI I POLICISE:

Adoleshenti me iniciale M.P., e cili dyshohet goditi me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij, Martin Cani, pas një sherri mes tyre pak metra larg shkollës “Fan Noli”, ka publikuar në “SnapChat” foto pas krimit. 14-vjeçari është arrestuar nën akuzën “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën ‘Qemal Stafa’, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale ‘Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit’ dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal. Ky shtetas, ditën e ngjarjes, në afërsi të shkollës ‘Fan Noli’, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën”,