Është zbardhur dëshmia e efektivit të Policisë, Erion Goxhara, i cili u vetëdorëzua pasditen e djeshme, ndërsa ishte shpallur në kërkim për plagosjen e Lorenc Kostës, ngjarje e ndodhur 3 ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit.
Në dëshminë e tij Goxhara ka pohuar para grupit hetimor se nuk ka dashur të vrasë Lorenc Kostën. “Isha tek Komuna e Parisit me vajzën dhe ishim ulur në një sufllaqe. Para tavolinës tonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Ai kaloi dy herë para tavolinës sime dhe më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna. Të hënën nuk durova më dhe e qëllova. Kam çuar diku vajzën dhe jam kthyer ku edhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk kam dashur ta vras dhe prandaj qëllova poshtë. Nuk e kam bërë me paramendim, dhe nuk kam patur për qëllim ta vras. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete. Pas plagosjes kam telefonuar djalin dhe e kam takuar tek rrethi I Shkozës. Kemi shkuar bashkë me taksi për në Fresk dhe aty jam përballur me një polic civil i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj duke më nxjerrë armën. Unë i thashë më mirë vras veten sesa të dorëzohem dhe jam larguar në drejtim të Dajtit derisa vendosa të vetëdorëzohem”, është shprehur Goxhara.
Ky i fundit dyshohet si autor i plagosjes së 45-vjeçarit Lorenc Kosta, ndërsa për pothuajse 72 orë qëndroi në arrati. Policia e Tiranës kishte vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacione që do të çonin në arrestimin e efektivit të policisë së Kufirit. Dyshohet se ai shtiu disa herë ndaj Kostas me armën e shërbimit, por në momentin që kreu atentatin ndaj tij, nuk ishte në shërbim.