Zbardhet dëshmia e parë e Ruben Saraivës! Portugezi i akuzuar për vrasjen e Ardian Nikulajt, mohon akuzat

Ruben Saraiva, i ekstraduar nga Maroku në fund të vitit 2023 dhe i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin më 19 prill 2023, ka refuzuar të pranojë akuzat ndaj tij. Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e Lezhës, Saraiva ka mohuar njohjen e viktimës dhe ka shpërfillur disa nga provat që i janë paraqitur, përfshirë fotot dhe provat biologjike që lidhen me ngjarjen.

Ai ka pohuar se ishte një trajner futbolli dhe kishte një dënim për shpërndarje droge në Angli në vitin 2013, por ka refuzuar të zbulojë informacion për qytetin e lindjes dhe emrin e nënës. Në pyetjen për lidhjet e tij me Edmond Haxhinë, të dyshuarin kryesor për vrasjen, Saraiva ka thënë se mund të ketë udhëtuar me të, por ka mohuar çdo njohje të drejtpërdrejtë me ngjarjen.

Prokurorët kanë paraqitur prova të tjera, përfshirë ADN dhe pamje filmike, që implikojnë Saraivën në vrasjen e Nikulajt, por ai ka qëndruar i heshtur për shumicën e pyetjeve. Procesi gjyqësor ndaj tij pritet të fillojë në javët në vijim në gjykatën e Lezhës, ndërsa pritet edhe ekstradimi i Edmond Haxhisë dhe katër britanikëve të tjerë, të cilët po kërkojnë të apelojnë ekstradimin në Britaninë e Madhe.