Zbardhet dëshmia e Esmerald Ballës pas krimit që tronditi Shënavlashin/”Shkova te vendi për të marrë paratë dhe ta paguaja dhe konstatoj se mungonin 75 mije eurot, unë te vras më tha dhe mori pistoletën, gjithçka ishte aksidentale”

Esmerald Balla, 30-vjeçari i cili vrau të atin dhe më pas e hodhi në një pus në përpjekje për të humbur gjurmët, ka rrëfyer detaje të reja nga krimi që tronditi Shënavlashin. Ai deklaroi para hetuesve se nuk ka qenë qëllimi i tij që të vriste të atin, por se gjithçka ka ndodhur në mënyrë aksidentale.

“Ne kemi një fermë të vetme të vogël dhe aty punonim të dy me babanë dhe pjesëtaret e tjerë te familjes. Gjerat nga ana ekonomike po shkonin shume mire dhe s’kishim asnjë problem pasi secili bënte detyrat e veta. Unë po ndërtoj një shtëpi te re (pranë asaj qe jetojnë) dhe punimet kishin ecur shume mire. Neve ne shtëpi nga puna disavjeçare kishim një sasi afro 75 mije euro. Ditën e ngjarjes shkova te merrja leket pasi sipërmarrësi i punimeve kërkoi pagesën sepse e kishte mbyllur punën për te cilën kishim rene dakord. Shkova te vendi për te mare parat dhe ta paguaja dhe konstatoj se mungonin 75 mije eurot. I them babait” ku janë paratë”!? “Se di”,- me tha. Kasaforta ishte dëmtuar me mjete te forta. Ishte hapur. Aty nisem te debatonim. Unë te vras me tha dhe mori pistoletën dhe ma drejtoi. Ne një moment iu afrova dhe u kapem me duar. Ne momentin qe po u përpoqa t’ia hiqja nga dora pistoletën ajo u shkreh”,- ka deklaruar fillimisht Esmeraldi.Duke vijuar më tej rrëfimin e tij, Esmeraldi deklaroi se nuk kishte për qellim ta vriste te atin dhe e konsideroi aksident. Kur u shkreh arma dhe pasi pash qe babai ishte qëlluar mu shemb bota pasi nuk doja qe te ndodhte kështu. Me kapi paniku. Nuk dija çfarë te beja. Kisha frike te denoncoja krimin ne polici edhe pse ishte aksident. E mora trupin ne makinën dhe kemi një pus diku 1 mije metra larg shtëpisë. E hodha aty qe ta fshihja. Telefonin ja fika i hoqa kartën dhe e hodha edhe telin ne pus. Mirëpo nuk ndihesha mire. Me kapi ankthi dhe u bëra keq. Shkova ne spitalin e Durrësit për vizite. Mjeket me dhanë ca ilaçe. Pas nja dy ditësh e denoncova babanë te zhdukur ne polici. Tash ne polici se babai kishte mare leket dhe ishte zhdukur me një femër tjetër. Lajmërova edhe vëllezërit. Iu thash qe babai ka ikur nga shtëpia. Kështu vazhdoi për disa dite deri ne momentin qe ju e zbuluat ngjarjen. Me vjen shume keq nuk doja te shkonte kështu”,- ka thënë mes të tjerash Esmarald Balla.
Kasaforta e prerë me gur ftesibël në pjesën e pasme të saj dhe që ndodhej në dhomën e Esmerald Ballës, ishin indiciet e para të hetuesve se pas zhdukjes së Enver Ballës fshihej diçka tjetër. Që prej momenteve të para që Esmerald Balla bëri denoncim në polici, hetuesit i morën me rezerva deklarimet e tij dhe e mbajtën në vëhzgim. Në deklarimet e para për kasafortën, hetuesit patën deklarime kontradiktore në lidhje me çelësin, që herë thoshte e mbante babai e herë ai vetë. Pasi kishte sajuar historinë se i ati kishte ikur me nje grua, e cila i kishte shkuar në Instagram, policia vendosi t’i sekuestroj celularin, tek i cili u ndërhy me ekspertë të IT pasi i kishte fshirë, dhe u zbuluan prova që zbërthyen ngjarjen.
Përveç fotove të vajzave të gjetura në celular u gjet edhe një screenshot bisede, një grua që i shkruante se kishte ikur me babain e tij. Por nga hetimi u zbulua se i njëjti profil që i kishte shkruar ishte i tij, i hapur në celularin e tij, duke zbuluar mashtrimin. I riu u mbajt për disa kohë në përgjim por ka qenë i kujdesshëm në komunikim. Hetuesit kanë dyshime të forta se ai nuk veproi vetëm dhe të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë jashtë familjes. Këta të fundit nuk dinin asgjë mbi fatin e babait, që u vra nga djali Esmeraldi dhe besuan historinë e sajuar të largimit me një grua.