Zbardhen bisedat e “Sakatit” me Çyrbjan: Kanë ndaluar shokun, fol me Gjushin që të vonojnë letrat

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka biseduar në SKYECC edhe me Julian Meçajn, një prej ish-anëtarëve të Bandës së Durrësit. i cili mban nofkën “Sakati”.

Në datën 10 dhjetor 2020, Çyrbja bisedon me Julian Meçajn, i cili i ka kërkuar ndihmë, që deputeti të ndërhynte tek Gjushi për një mikun e tij që e kishin arrestuar, në mënyrë që të vonoheshin letrat nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim vonimin e ekstradimit. Nga mesazhet e aplikacionit “Sky”, Jurgis Çyrbja thirret nga Julian Meçaj me nofkën “Pula”, për shkak se familja e tij në Shijak ka një biznes për rritjen dhe tregtimin e pulave.

Julian Meçaj, e informon Jurgis Çyrbjan për ndalimin e një mikut dhe të tij të interesohej për mundësinë që ekzistonte për të vonuar procedurën dokumentare që ka në dorë Ministria e Drejtësisë.

Ndër të tjera Juliani i shkruan në “Sky” Jurgis Çyrbjas si më poshtë vijon:

“…pula je, jam J. O vëlla e kanë nalu shokun ça mund të bëjmë nonji gjë, me ja vonu letrat, e ku di unë. Fol me Gjush, e cel të lujnë fort, o vlla shif të bëjmë më të mirën, ne e dimë që janë kot këto, po Minstria Drejtësis, e ka në dorë, ajo i çon letrat. Shif me ja vonu letrat nga inter….”.

Jurgis Çyrbja u arrestua me urdhër të SPAK mbrëmjen e 20 tetorit. Ish-deputeti socialist dorëzoi mandatin disa ditë para se t’i vendoseshin prangat. Së bashku me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti i ka siguruar strehë Altin Hajrit dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë.