Zaptuan plazhin në Gjipë pa leje, procedohen 4 persona dhe sekuestrohen qindra çadra e shezlongë
Vijon operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë”, i ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike përgjatë vijës bregdetare dhe për verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve private. Në fokus këtë herë ishte plazhi i Gjipesë, në bashkinë Himarë, ku u konstatuan shkelje të rënda.
Gjatë ndërhyrjes nga deti, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, Policinë e Kufirit, FNSH-në dhe Forcat Detare, u evidentua se katër shtetas: A.Z., B.Sh., G.S. dhe M.Sh., kishin zënë në mënyrë të paligjshme sipërfaqe publike nga 300 deri në 500 m² secili, ku kishin vendosur çadra dhe shezlongë pa pasur leje nga autoritetet përkatëse dhe pa NIPT për ushtrim aktiviteti.
Të katër personat u proceduan penalisht për veprat “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga nenet 200 dhe 180 të Kodit Penal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 131 çadra dhe 268 shezlongë, të cilët u transportuan me ndihmën e mjeteve lundruese të Forcës Detare, për shkak të terrenit të vështirë për qasje nga toka.
Policia e Shtetit deklaroi se do të vijojë kontrollet intensive në të gjithë vijën bregdetare, për të garantuar lirinë e pushuesve në hapësirat publike dhe për të verifikuar ligjshmërinë e aktiviteteve të subjekteve gjatë sezonit turistik.