Zaptuan hapësirat publike dhe i përshtatën për aktivitete ekonomike, e pësojnë 4 persona në Kavajë
Policia e Durrësit ka vijuar kontrollet në zbatim të planit operacional të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
Sipas bluve janë proceduar penalisht 4 shtetas, pasi kishin zënë 4 hapësira publike dhe i kishin përshtatur për kryerjen e aktiviteteve ekonomike, në kundërshtim me ligjin.
Ndërkaq bëhet me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Bashkiake, në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”, kanë ushtruar kontrolle në zonën e Golemit.
Nga kontrollet u konstatua se shtetasit Z. Xh., R. A., E. Q. dhe K. Sh. kishin zënë nga një hapësirë publike dhe e kishin përshtatur për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme ekonomike, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasi Z. Xh., 54 vjeç, R. A., 57 vjeç, E. Q., 42 vjeç dhe K. Sh., 43 vjeç, banues në Durrës dhe në Kavajë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës do të vijojë kontrollet për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike dhe sigurinë e pushuesve. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112.