Ylli i “Emily in Paris” bëhet nënë për herë të parë përmes një surrogateje: Mirënjohje e pafund
Aktorja e njohur Lily Collins, ylli i serialit të suksesshëm “Emily in Paris”, është bërë nënë për herë të parë. Lajmin e ëmbël e ndau vetë ajo me ndjekësit në Instagram, duke zbuluar se ka mirëpritur në jetë vajzën e saj, Tove Jane McDowell, nëpërmjet një surrogateje.
Në postimin e saj, Collins publikoi një foto të foshnjës së porsalindur dhe shprehu mirënjohjen e saj për gruan që mbajti vajzën në bark për nëntë muaj.
“Mirë se erdhe në qendrën e botës sonë, Tove Jane McDowell. Fjalët nuk do të shprehin kurrë mirënjohjen tonë të pafund për surrogaten tonë të jashtëzakonshme dhe të gjithë ata që na ndihmuan gjatë këtij rrugëtimi”, ka shkruar aktorja në Instagram.
Lily Collins dhe regjisori Charlie McDowell kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në shtator të vitit 2021, në një ceremoni private në Dunton, Colorado.
Në atë kohë, aktorja e ndau lajmin me ndjekësit e saj, duke postuar një foto nga dasma dhe duke shkruar:
“Nuk kam dashur kurrë të jem e dikujt sa dua të jem e jotja dhe tani ndodh që të bëhem gruaja jote. Më 4 shtator 2021, ne u bëmë përgjithmonë të njëri-tjetrit”.
Lajmi për ardhjen në jetë të vajzës së tyre ka emocionuar fansat e aktores, e cila ka mbajtur private pjesën më të madhe të shtatzënisë dhe procesit të surrogacisë.