Xhubleta shqiptare në UNESCO, shkolla në Malësinë e Madhe hap klasë për mësimin dhe punimin e saj

Xhubleta është një nga veshjet karakteristike dhe tipike e grave veriore të vendit tonë.

Në vitin 2022 kjo veshje u mor në mbrojtje nga UNESCO. Duke marrë shkas nga kjo gjë në bashkinë e Malësisë së Madhe në bashkëpunim me ministrinë e kulturës dhe UNESCON shumë shpejt do të hapet “Klasa e Xhubletës”. Kjo klasë do tu mundësojë grave dhe vajzave të Malësis së Madhe të mësojnë për të punuar këtë veshje të veçantë tradicionale shqiptare.

Donika Velaj drejtore e kulturës në këtë bashki shprehet se kjo inisiativë do të sjellë mundësi punësimi por edhe vijimsi të traditës në bërjen e xhubletës ku ndër të tjera ajo tregon se interesi i grave dhe vajzave nuk ka munguar.

Realizimi dhe shitja e një xhublete kap shifrat mbi 5 mijë euro tregon Velaj çka është një indikues i mirë. Në këtë mënyrë gratë dhe vajzat e Malësisë së Madhe jo vetëm ta punojnë xhubletën për pasion e për të ruajtur traditën por edhe për të përfituar të ardhura të kënaqshme nga veçantia e kësaj veshjeje.

“Klasa e xhubletës” do të jetë funksionale shumë shpejt në Bashkinë e Malësisë së Madhe ku këto leksione synojne ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie kulturore të rëndësishme.  Xhubleta është veshje tradicionale e grave veriore e cila ka një histori të pasur. Ajo është një simbol i identitetit kombëtar dhe ka qenë pjesë e jetës së përditshme të grave malësore.