Xhelozia e çoi në krim? 68-vjeçari qëllon gruan me çifte dhe e sulmon me xham në Shkodër
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, ku një 68-vjeçar ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij me armë gjahu çifte.
Xhabir Hoxhaj u arrestua nga policia, me këtë të fundit që ka zbardhur edhe dinaminën e ngjarjes. Ai ka qëlluar dy herë në drejtim të 61-vjeçares dhe më pas e ka goditur me grushte dhe e ka prerë në qafë dhe shpatull me një copë xhami.
Gruaja, e plagosur rëndë, është transportuar menjëherë drejt spitalit të Shkodrës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ndërhyrë me shpejtësi, duke arrestuar autorin në flagrancë dhe sekuestruar armën e krimit, dy gëzhoja dhe 17 fishekë.
NJOFTIMI I POLICISE:
Vau i Dejës/Qëlloi me armë gjahu çifte drejt bashkëshortes, me qëllim vrasjen e saj, kapet dhe vihet në pranga 68-vjeçari.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e gjahut çifte.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës pas njoftimit të marrë se një shtetase nga Vau i Dejës po transportohej për ndihmë mjekësore drejt spitalit të Shkodrës pasi dyshohej se ishte dhunuar nga bashkëshorti, menjëherë kanë organizuar punën për sqarimin rrethanave, kapjen dhe arrestimin autorit.
Në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër u bë kapja e shtetasit Xh. H., 68 vjeç, banues në fshatin Mjedë dhe arrestimi në flagrancë i tij për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 68-vjeçari, për motive të dobëta (xhelozie) ka qëlluar 2 herë me armë gjahu çifte në drejtim të bashkëshortes për ta vrarë dhe më pas e ka goditur me grushte në fytyrë dhe e ka dëmtuar me mjet prerës (xham) në pjesën e qafës dhe shpatullës.
61-vjeçarja shtetasja Gj.H, ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut çifte, dy gëzhoja dhe 17 fishekë armë gjahu.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.