Xhamia e Ballies në Elbasan me arkitekturën më të bukur në botë! Shpallet “Ndërtesa e Vitit 2025”

Xhamia e Ballies në Elbasan ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025” nga platforma ndërkombëtare e arkitekturës, ArchDaily. Fillimisht e përzgjedhur si një nga pesë objektet më të bukura të kultit në botë, kjo fitore e vendos Elbasanin dhe Shqipërinë në qendër të vëmendjes globale.

Ky vlerësim e konfirmon Xhaminë e Ballies si një nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike në botë. Objekti u dallua për arkitekturën e saj unike, që ndërthur me mjeshtëri elementet tradicionale osmane me një qasje bashkëkohore, duke krijuar një harmoni të rrallë mes historisë dhe modernitetit.

Ky sukses është një arritje e madhe jo vetëm për Elbasanin, por për gjithë Shqipërinë, duke e bërë këtë xhami një destinacion të rëndësishëm për studiues, arkitektë dhe turistë nga e gjithë bota.

Fitorja në këtë garë ndërkombëtare dëshmon vlerën dhe potencialin e trashëgimisë kulturore shqiptare në skenën globale, duke e ngritur më tej reputacionin e vendit në fushën e arkitekturës fetare dhe historike.