“Washington Post”: Turistët amerikanë po zgjedhin Shqipërinë për pushimet verore – alternativa më e përballueshme në Europë
Turistët amerikanë po planifikojnë pushimet e tyre verore duke marrë parasysh sfidat financiare, dhe Shqipëria po shfaqet si një nga destinacionet më të kërkuara, shkruan gazetarja Natalie B. Compton në një artikull të fundit të publikuar në “Washington Post”.
Sipas ekspertëve të planifikimit të udhëtimeve, Shqipëria po konsiderohet një alternativë më e përballueshme krahasuar me destinacionet më të njohura europiane, si Franca, Greqia apo Italia, të cilat pritet të jenë të mbushura me turistë këtë verë për shkak të vitit Jubile dhe ngjarjeve të tjera madhore.
Atmosferë mesdhetare me kosto të ulët
Ekspertja e udhëtimeve Melanie Rodriguez thekson se Shqipëria është ideale për turistët që kërkojnë një përvojë mesdhetare pa shpenzuar shuma të mëdha. Ajo vë në dukje se çmimi mesatar i një dhome dyshe në Shqipëri është rreth 96 dollarë nata, duke e bërë vendin një zgjedhje tërheqëse për pushime të gjata.
“Mund të kaloni shtatë netë të plota në Shqipëri për më pak se 2,000 dollarë për person,” thotë Rodriguez, duke shtuar se vendi ofron plazhe me ujëra të kristalta, histori mesjetare dhe ushqim mesdhetar, me kosto që zakonisht janë një e treta e atyre në Kroaci ose Greqi.
Plazhe dhe qytete historike
Artikulli i “Washington Post” rekomandon vizitën në qytetin historik të Shkodrës, ku turistët mund të përjetojnë “momentin e tyre mbretëror” në kalanë e Rozafës, si dhe pushime të qeta në bregdetin mahnitës të Dhërmiut.
Shqipëria, e cila ende nuk është prekur plotësisht nga turizmi masiv, po tërheq gjithnjë e më shumë amerikanë që kërkojnë aventura të reja dhe eksperienca autentike në një nga vendet më të përballueshme të Europës.