Wanda Nara ndez thashethemet: Po flas me një futbollist të Kupës së Botës për Klube, por s’do ta merrni vesh kurrë kush është!

Ndërsa vazhdon përballjen me një proces të ndërlikuar divorci nga ish-bashkëshorti Mauro Icardi, Wanda Nara është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave rozë.

Showgirl-i dhe menaxherja argjentinase ka zbuluar gjatë një telefonate me emisionin “Tarde de Tertulia” në Argjentinë se është duke komunikuar me një futbollist që aktualisht është i angazhuar në Kupën e Botës për Klube.

“Kur zgjohem, kam shumë mesazhe në WhatsApp,” u shpreh Wanda, duke shtuar me një buzëqeshje të nënkuptuar: “Po e ndjek Kupën e Botës për Klube, por në një mënyrë të veçantë. Po flas me një djalë që luan atje. Kush është ai? Nuk do ta zbuloni kurrë.”

Deklarata e saj mjaftoi për të ndezur rrjetet sociale, ku nisën menjëherë spekulimet për identitetin e lojtarit misterioz. Shumë ndjekës kanë sugjeruar se ai mund të jetë pjesë e Paris Saint-Germain, sidomos pas faktit që Wanda është parë kohët e fundit në Mynih gjatë finales së Ligës së Kampionëve. Megjithatë, ajo i ka mohuar me vendosmëri zërat që e lidhin me Achraf Hakimi.

Wanda Nara vazhdon të mbajë të fshehtë identitetin e futbollistit, duke e lënë publikun dhe fansat në mëdyshje dhe duke nxitur një tjetër valë thashethemesh në arenën ndërkombëtare të showbiz-it dhe sportit.