Vuçiç plotëson të gjitha kërkesat e studentëve: Riorganizoj qeverinë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pranoi se janë bërë gabime edhe nga ana e qeverisë dhe ka pasur deklarata që kanë forcuar klimën e përçarjes në shoqëri.

Ai u bëri thirrje studentëve dhe komunitetit universitar që të angazhohen në dialog “për të vendosur rregull në vend”.

Vuçiç njoftoi gjithashtu një riorganizim të qeverisë.

“Në këto kohë të vështira politikisht është bërë e qartë se kush është i gatshëm të punojë dhe të luftojë dhe kush jo, dhe për rrjedhojë pres që më shumë se 50% e ministrave të zëvendësohen në një ristrukturim shumë urgjent të qeverisë”, tha presidenti serb.

Duke iu referuar kërkesave të studentëve, ai i analizoi ato një nga një, duke pohuar se të gjithë kanë qenë të kënaqur.

Ai tha se deri nesër të gjitha dokumentet lidhur me rinovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad do të postohen në ueb faqen e qeverisë. Vihet re se rikonstruksioni i stacionit përfundoi tre muaj para shembjes së tendës që mori jetën e 15 personave.

Aleksandar Vuçiç raportoi se është pranuar edhe kërkesa për rritje 20% të buxhetit për arsimin e lartë, duke theksuar se këto para do të përdoren për rritjen e pagave të mësuesve dhe uljen me 50% të tarifave që paguajnë studentët që nuk financohen nga shteti.

Duke iu referuar kërkesës për të ndalur ndjekjen penale të 13 studentëve dhe pedagogëve të arrestuar në demonstrata, ai premtoi se do të shfrytëzojë vetë të drejtën që i jep Kushtetuta dhe do të falen. Vuçiç deklaroi gjithashtu se është përmbushur edhe kërkesa e studentëve në lidhje me ndjekjen penale të 37 personave që sulmuan studentët gjatë demonstratave.