Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Japoni, ku një influencere e njohur është vrarë brutalisht me thikë gjatë një transmetimi live në YouTube. Viktima, Airi Sato, 22 vjeçe, u sulmua në mes të rrugës në qendër të Tokios nga Kenji Takano, 42 vjeç, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes.
Sipas mediave japoneze, ndjekësit që po shikonin transmetimin dëgjuan të bërtiturat e saj për ndihmë, por më pas pamjet u ndërprenë papritur. Autori i dyshuar kishte udhëtuar 100 kilometra nga qyteti Oyama për ta ndjekur dhe sulmuar influenceren, pasi ajo kishte njoftuar paraprakisht për vendndodhjen e saj në videon live.
Takano i tha policisë se e kishte njohur viktimën në internet dhe se mes tyre kishte pasur një mosmarrëveshje financiare. Sipas raportimeve, ai i kishte dhënë asaj një shumë të madhe parash dhe, pavarësisht një urdhri gjyqësor, ajo nuk e kishte kthyer. Në dëshminë e tij, ai pretendoi se nuk kishte qëllim ta vriste.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Japoni, një vend ku krimet e dhunshme janë të rralla për shkak të kontrollit të rreptë të armëve. Megjithatë, vitet e fundit ka pasur disa raste të sulmeve me thika, duke ngritur shqetësime për sigurinë publike. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.